Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës

Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës

- in OPINIONE
235

43Nga: Vjosa Osmani – Sadriu

Para disa javësh kam shkruar për Kushtetutën dhe kushtëzimet që po bëjnë pakicat duke shfrytëzuar dispozitat e votimit të dyfishtë, si privilegj që atyre u është dhënë me Kushtetutë dhe me legjislacionin në fuqi. Ky privilegj, edhe pse jo shpesh, është keqpërdorur nga pakicat që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës për të bllokuar vendime të rëndësishme në Kuvend. Ato raste nuk kishin marrë shumë publicitet, në krahasim me kushtëzimin që tani po e bëjnë pakicat me Forcat e Armatosura, duke kërkuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në shkëmbim të votës për këto forca. Në një situatë të tillë, kur dihet qartë që transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është vendim i Kuvendit dhe jo i kryeministrit, ky i fundit fatkeqësisht vazhdon të bëjë fushatë duke dezinformuar qytetarët se kinse LDK na qenka kundër formimit të Forcave të Armatosura. Jo që ka diçka për t’u brengosur nga një dezinformim i tillë, sepse qytetarët tashmë janë ngopur me gënjeshtrat e keqpërdorimet e PDK-së, por është për keqardhje të shohësh se sa larg mund të shkojë kjo parti duke keqpërdorë edhe çështje të interesit nacional për të fituar vota. Besimi i qytetarëve në këtë kryeministër dhe partinë e tij tashmë është në minimum, prandaj ata nuk zgjedhin mjete për të fituar vota.
Pakicat e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë partner i koalicionit qeverisës që udhëhiqet nga Thaçi. Ky i fundit u kujdes që t’u japë pakicave mjaft privilegje edhe në Qeverinë e tij, duke përfshirë edhe një pozitë të zv/kryeministrit, shumë ministri e pozita zv/ministrash e këshilltarësh. Të gjitha këto, si duket nuk mjaftuan që këta përfaqësues të pakicave të sillen në mënyrë racionale tani kur merren vendime të rëndësishme për Kosovën, siç është transformimi i FSK-së. Në fakt, nuk është as etike nga ana e tyre që të kushtëzojnë në këtë mënyrë, kur dihet që ata janë të mbipërfaqësuar në gati të gjitha institucionet, në krahasim me numrin e tyre në popullsi. Mirëpo në këtë situatë kushtëzimi, Thaçi e ka gabuar adresën në tërësi. Ai nuk ka nevojë ta bindë LDK-në që të votojë për Forcat e Armatosura, por duhet ta bindë partnerin e vet të koalicionit, pra pakicat, që mos ta bllokojnë këtë vendim. Dështimi që të votohet ky vendim, prandaj, është dështim i Qeverisë Thaçi, dhe i askujt tjetër.
Një nga argumentet që politikanët nga komuniteti serb dhe nga komunitetet e tjera e përdorin në favor të vazhdimit të vendeve të rezervuara është se ata kanë kontribuar në marrjen e vendimeve në shtetndërtimin e Kosovës. Të hënën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës ata do ta kenë mundësinë të tregojnë nëse vërtet dëshirojnë të jenë kontribuues të ndërtimit të shtetit të Kosovës, apo thjeshtë disa përfaqësues që nuk u interesojnë as interesat e komunitetit që përfaqësojnë, por thjeshtë të fitojnë pa mund ulëset e tyre në Kuvend. Nga Forcat e Armatosura do të përfitojnë edhe vetë komunitetet pakicë, sepse do të rritej numri i tyre edhe në komponentin e rregullt edhe në atë rezervë. Por, nëse ata e zgjedhin rrugën e kushtëzimit, atëherë argumenti se kinse ata janë kontribuues në ndërtimin e shtetit të Kosovës, nuk vlen. E tëra që ata janë është shfrytëzues privilegjesh pa meritë. Mos të harrojmë që këto ulëse të rezervuara i kishte shfrytëzuar edhe Oliver Ivanoviq. Ai sot është në bankën e të akuzuarit për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Pavarësisht se cilën rrugë e zgjedhin pakicat, atë të kontribuuesit apo atë të bllokuesit, LDK tashmë është pozicionuar qartë: pro Forcave të Armatosura por kundër vendeve të rezervuara.

Facebook Comments